
Bashkia Shkodër ka reaguar ndaj disa përmbajtjeve të shpërndara në rrjetet sociale, duke i cilësuar si dezinformime politike dhe dashakeqëse, që nuk i shërbejnë imazhit të sezonit turistik në Velipojë.
Nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Alban Preka, u shpreh se ky sezon turistik pritet të jetë më i suksesshëm se ai i një viti më parë. Ai u bëri thirrje figurave publike që të shmangin dezinformimet politike dashakeqëse dhe të mos përdorin Velipojën për qëllime politike.
Drejtori i Përgjithshëm i Ndërmarrjes së Menaxhimit të Objekteve Shtetërore, Gjozef Kulla, deklaroi se të gjitha tualetet publike janë funksionale dhe se puna për përgatitjen e zonës ka nisur prej kohësh.
Që në fillim të muajit prill, Bashkia Shkodër ka nisur përgatitjet për sezonin turistik, duke ndërmarrë pastrimin e mbetjeve në zonën ranore dhe në të gjitha rrugët e plazhit. Paralelisht, është hartuar një plan i detajuar ndërhyrjesh, me fokus të veçantë te mbetjet inerte, të cilat sipas bashkisë janë hedhur pa kriter nga disa biznese, ndaj të cilëve pritet të aplikohen penalitete.






