
Situata hidrologjike në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet e qëndrueshme dhe po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përgjegjëse. Autoritetet bëjnë me dije se nivelet e ujit janë nën kuotat kritike dhe deri më tani nuk raportohet asnjë banesë e përmbytur.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 525 hektarë tokë bujqësore kanë prani uji, kryesisht në sipërfaqe të hapura. Sipërfaqet më të prekura ndodhen në njësinë administrative Velipojë me rreth 265 hektarë, e ndjekur nga Ana e Malit me 150 hektarë dhe Dajçi me rreth 110 hektarë.
Në zonën e Obotit, uji është prezent vetëm në afërsi të oborreve, pa depërtuar në banesa. Qarkullimi në zonë është i garantuar dhe po realizohet me mjete të Ushtrisë.
Ndërkohë, situata e lumenjve mbetet e kontrolluar. Niveli i lumit Buna në Dajç është 6.58 metra, ndërsa në Urën e Vjetër niveli shënohet në 8.50 metra, rreth një metër nën kuotën kritike. Edhe lumi Drin, në Urën e Bahçallëkut, paraqitet në nivelin 8.20 metra, rreth 1.80 metra nën kuotën e rrezikut.
Hidrovoret po punojnë pa ndërprerje dhe në kapacitet të plotë, duke mbajtur nivelet e ujit në parametra të sigurt. Furnizimi me energji elektrike vijon normalisht, ndërsa argjinaturat, kanalet kulluese dhe shkarkuesat e Digës së Rezervuarit të Shkodrës nuk paraqesin problematika.






