
Kryetarja e Bashkimit të Sindikatave, dega Shkodër, Jolanda Kopshtari, hedh akuza në drejtim të Spitalit Rajonal të Shkodrës.
Sipas saj, në spitalin më të madh të veriut ka tejmushje të administratës me punonjës, të cilët nuk janë të nevojshëm. Kopshtari shprehet se vetëm shoferë për ambulancën janë më shumë se 30, një numër, sipas saj, aspak i justifikueshëm.
Kopshtari hedha akuza edhe në raport me pajisjet e spitalit. Sipas saj, nuk bëhet një inventar i rregulltë për aparaturat, të cilat në shumë raste humbasin, ose transportohen në klinika të tjera.
Megjithatë, Kopshtari shpreh vlerësim për punën që bëhet në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Shkodrës dhe punën e mjekëve në 24 orë në shërbim të qytetarëve shkodranë.
Bashkimi i Sindikatave dega Shkodër, prej 20 vitesh operon në Shkodër. Nuk kanë munguar rastet e ankesave kundrejt institucioneve të ndryshme, ndërsa Spitali Rajonal i Shkodrës ka qenë gjithmonë në fokus.


