Vllaznia në basketboll për femra është në një moment të vështirë dhe thuajse është një skuadër gjysmake që nuk stërvitet e plotë për shkak të orarit të papërshtatshëm të stërvitjes por edhe angazhimeve që kanë vetë basketbollistet.

Ndonëse në Shkodër vuajnë, kombëtarja shqiptare ndër 12 grumbullime që ka bërë për eleminatoret e kampionatit europian, në përbërje ka 4 vajza shkodrane. Pra 40% e kombëtares së femrave të drejtuar nga trajneri Erald Borova që njëkohësisht drejton edhe Tiranën përbehet me basketbolliste shkodrane. Një kontrast ky që nuk sjell gjë tjetër veçse keqardhje se si talented dhe vajzat e Shkodrës ashtu si shumë sportiste e sportistë të tjerë lejohen të largohen e nuk vlerësohen siç duhet. Kështu dy prej tyre janë aktualisht pjesë e Vllaznisë. Bëhet fjalë për Ingrid Dashjen e cila që në moshë të hershme ka rënë në sy për talentin e saj dhe lojën e mirë gjë të cilën vazhdon ta bëjë edhe tani aq sa ka bindur kombëtaren për të qenë pjesë e saj. Po ashtu nga Vllaznia pjesë e vajzave kuqezi është edhe Edona Berrania e cila vitet e fundit ka bërë një përmirësim të ndjeshëm duke zënë një vend kështu mes më të mirave. Nuk mbyllet me kaq sepse trajneri Borova ka thirrur mes 12 basketbollisteve që do marrin pjesë në eleminatoret e europianit edhe Gridi Sokolin. Për shumë vite kapitene e Vllaznisë, e cila vitet e fundit u largua duke shkuar fillimisht me Tiranën e aktualisht pjesë e Kamza Basket. Një tjetër shkodrane që vitet e fundit i dha lamtumirën Vllaznisë dhe që sot është pjesë e kombëtares është edhe Enxhi Xhanaj. Një vajzë e përgatitur për sportin e basketbollit që u largua nga Vllaznia për të luajtur fillimisht me Apoloninë dhe pas shkrirjes së kësaj skuadre kaloi tek ekipi i krijuar këtë vit në Durrës Goga Basket. Në këtë mënyrë Shkodra përfaqësohet me 4 basketbolliste ndërsa Vllaznia lëngon e vuan në kampionat duke mos patur rezultate të larta.