Vllaznia në basketboll për femra është skuadra për t’u mundur. Kjo skuadër ka marrë fitoren e 5-të radhazi në kampionat duke e mbyllur në mënyrën më të mirë këtë vit. Vajzat shkodrane në një ndeshje tejet të vështirë kanë arritur të fitojnë përballë ekipit të Skenderbeut në sfidën që u luajt në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Është një rritje gati spektakolare e Vllaznisë e cila pa frikë gradualisht po futet në vallen e pretendenteve.

Viktima e radhës ishin vajzat korçare përballë të cilave ekipi kuqeblu fitoi 67 me 53. Me këtë fitore Vllaznia thuajse ka siguruar vendin e katërt në renditje duke qenë në fazën play off ku diskutohet titulli kampion. Përtej kësaj vajzat shkodrane duke parë ecurinë pozitive kanë rritur kërkesat e tyre dhe tashmë synojnë vendin e tretë në renditje duke qenë se është plotësisht e arritshme. Vllaznia ndaj Skenderbeut ka dominuar pothuajse krejt takimin duke arritur që të zhvillojë një lojë më të mirë që i solli edhe fitoren. Perioda e parë është mbyllur në shifrat 18-14. Në periodën e dytë është sërish Vllaznia që fiton 13-10 duke udhëhequr me me 7 pikë gjysmën e parë të lojës me rezultatin 31-24. Korçaret vetëm në periodën e tretë arrijnë të fitojnë 21-17 duke bërë që pa periodën e fundit Vllaznia të kryesojë me 3 pikë diferencë 48-45. Shkodranet nuk lëshojnë më dhe fitojnë 10-minutëshin e fundit 19-8 duke shuar çdo dyshim dhe duke marrë një fitore të rëndësishme me rezultatin e përgjithshëm 67-53. Me 5 fitore radhazi Vllaznia në basketbollin e femrave bëhet një skuadër e frikshme dhe ekipi i drejtuar nga dyshja Rajmond Rasha e Afërdita Rakaj do të tentojë edhe fitimin e titullit kampion çka do të ishte surpriza më e bukur e këtij sezoni.

Artikulli paraprakPJESA E PARË VLLAZNIA-BYLIS 2-0, SHKODRANËT DREJT FITORES
Artikulli tjetërVLLAZNIA SHPËTON, FITON ME VËSHTIRËSI 3-2 NDAJ BYLISIT