Me vetëm 7 pikë diferencë Tirana ka mundur Vllazninë në ndeshjen e javës së 11-të të kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj.

Në një përballje emocionuese dhe me rivalitet deri në fund, bardheblutë kanë ditur të ruajnë më mirë qetësinë duke fituar 73-67 kryendeshjen e javës ndaj Vllaznisë. Kuqeblutë kanë bërë një ndeshje të mirë duke tentuar ta fitojnë ndeshjen dhe duke qenë në avantazh deri në fund të periodës së tretë. Sfida nis më mirë për Vllazninë që shkëputet 7-4 por Tirana zgjohet shpejt dhe arrin që të fitojë periodën e parë 16-14. Perioda e dytë vjen me një Vllazni të papërmbajtshme që thyen Tiranën në çdo aspekt duke bërë që të fitojnë 24-10. Gjysma e parë e lojës mbyllet në favor të Vllaznisë 38-26. Vendasit ndezin motorët në periodën e tretë teksa dy gjuajtje radhazi për tre pikë nga Red Vogli janë të sakta duke çuar në 50-51 rezultatin. Edhe pse Vllaznia nuk dorëzohet, Tirana ka forcë që të rigjejë avantazhin dhe ta mbrojë atë deri në fund.

29-15 përfundon perioda e tretë dhe 18-14 e katërta duke bërë që Tirana të fitojë 73-67. Gert Shima realizoi 23 pikë për Tiranën por po aq shënoi edhe amerikani Freelove i Vllaznisë duke qenë dy pikëshënuesit më të mirë. Pavarësisht kësaj humbjeje, Vllaznia pas përforcimeve me tre amerikanët dhe Gjonaj ka zhvilluar një ndeshje dinjitoze por edhe duke qenë afër fitores në kryeqytet. Tirana ruan vendin e parë me 10 pikë, Teuta është e dyta me 8 pikë dhe Vllaznia mban vendin e tretë me 6 pikë, po aq sa ka edhe Kamza Basket. Ndryshe nga ndeshja e fundit në Shkodër, mes Tiranës dhe Vllaznisë pati Fair-Play duke hedhur pas krahëve tensionet dhe incidentet e mëparshme.

Artikulli paraprakBICAJ SI ORAKULL: VLLAZNIA I MERR PIKË PARTIZANIT
Artikulli tjetër“SIKUR TË ISHA DJALË” TEMË AKTUALE EDHE PAS 80 VITESH