Vllaznia në basketboll për meshkuj e ka nisur mbarë fazën play-off të kampionatit. Në ndeshjen e parë të turit çerekfinal, atë ndaj Teutës, të luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, basketbollistët e drejtuar nga trajneri Eni Llazani kanë fituar me 45-pikë diferencë ndaj durrsakëve. Ndeshja nisi me rivalitet, por vendasit e mbyllën periodën e parë me shifrat 18-12 në favor të tyre. Edhe në të dytën, fiton sërish Vllaznia 18-13, duke shkuar në pushimin e takimit me një epërsi prej 13-pikësh në favorin e saj. Ndërkohë, në dy periodat e fundit të ndeshjes nuk do të kishte shumë histori. Perioda e tretë do të vendoste gjithçka, teksa ajo do të fitohej me rezultatin e thellë 31-6, ndërsa edhe në 10-minutat e fundit u vulosën shifrat 26-17. Përfundimisht, një fitore e thellë e Vllaznisë në shifrat 93-48, e cila fiton ndeshjen e parë ndaj Teutës. Trajneri Eni Llazani, pasi mposhti thellësisht Teutën në sfidën e parë të play-off, tha se kualifikimi i Vllaznisë do të jetë në Durrës.
Ditën e shtunë do të luhet ndeshja e dytë, këtë herë në Durrës. Në rast fitoreje të kuqebluve do të mbyllet gjithçka këtu pa patur nevojë të luhet një ndeshje e tretë në Shkodër të mërkurën tjetër.

Artikulli paraprakKRYETARI I KOMUNITETIT MUSLIMAN SHQIPTAR NË ZVICËR VIZITË NË SHKODËR
Artikulli tjetërNESËR PROTESTA E PD-SË, POLICIA NJOFTON MASAT E SIGURISË: JA CILAT RRUGË DO TË BLLOKOHEN