Vllaznia në basketboll për meshkuj ka arritur që të fitojë 77-53 ndaj Teutës në ndeshjen e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.

Me këtë fitore shkodranët ngjiten në vendin e dytë në renditje duke ndjekur Tiranën që mban kryesimin e kampionatit. Pas fitores me Teutën trajneri i Vllaznisë Jeronimo Sarin tha se skuadra e tij ka ende shumë punë për të bërë për të shkuar tek fitimi i titullit kampion.

“E rëndësishme që e kemi fituar ndeshjen. Shumë gjëra nuk kanë qenë mirë dhe duhet që të jenë më mirë. Shumë gabime në lojë por po ashtu edhe gjatë gjuajtjeve të lira dhe humbje të sulmeve të shpejta.

Në këto pika duhet që të punojmë. Kam mundur vendin e dytë që është Teuta sepse unë kam ardhur për të qenë i pari këtu në Shqipëri. Definitivisht skuadra ka filluar që të jetë në formë por kjo nuk arrihet brenda një nate.

Sa më shumë që të kalojë koha, aq më mirë do luaj skuadra. Për këtë kam ardhur këtu, që të fitoj titullin kampion.

Rivali më i fortë është Tirana por do qëndrojmë ndaj tyre dhe do e shohim që javën e ardhshme”. Ndeshjen e ardhshme Vllaznia e luan në Shkodër ndaj Tiranës së vendit të parë, një përballje që pritet me interes për vetë rivalitetin që kanë këto dy ekipe. “Më pëlqen kur ka tifozë sepse më motivon më shumë.

Unë jam nga Kroacia dhe ne jemi tipa të ndjeshëm për tifozët dhe mbështetjen. Motivi është më i rëndësishmi dhe publiku ka për të na dhënë një mbështetje të madhe që ta mbyllim me sukses atë ndeshje dhe uroj që të fitojmë ndaj Tiranës javën e ardhshme”.

Vllaznia edhe këtë sezon kërkon që të jetë kampione e Shqipërisë duke sjellë në Shkodër për të katërtën herë radhazi këtë trofe.

Artikulli paraprakUJËSJELLËSI ÇULAJ, GATI INVESTIMI
Artikulli tjetërCUNGU: DEKLARATA E PRESIDENTIT TË LAÇIT NJË BATUTË