Vllaznia në basketboll për meshkuj ia ka dalë të kualifikohet për në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Ekipi kuqeblu ka arritur të fitojë në çerekfinale ndaj Tiranës me rezultatin 71-45. Ndeshja u luajt në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” të Durrësit dhe është shoqëruar nga një dominim i basketbollistëve kuqeblu, të cilët nuk e vendosën për asnjë moment në dyshim fitoren. Vetëm perioda e parë e mbyllur 18-17 në favor të Vllaznisë ka patur deri diku rivalitet, sepse më pas në fushë ka qenë vetëm ekipi shkodran. Këta të fundit fituan periodën e dytë 19-14 dhe në pushim të ndeshjes shkuan me një avantazh prej gjashtë pikësh.

Kaq ka mjaftuar që më pas loja në vazhdim të kishte vetëm emrin e Vllaznisë. Perioda e tretë do të mbyllej 19-6 në favorin e saj, ndërsa e katërta 15-8 dhe në këtë mënyrë, e gjithë ndeshja do të fitohej me 26-pikë diferencë nga kuqeblutë që tashmë e shohin veten në gjysmëfinale. Në këtë tur, kuqeblutë do të ndeshen me Elbasanin ditën e shtunë dhe shanset janë të mëdha që Vllaznia të kalojë në finale. Ndërkohë, në ndeshjen ndaj Tiranës, pikëshënuesi më i mirë për Vllazninë ishte Arnold me 16 të tilla, ndërsa pikët e tjera janë shënuar nga Walton, Wright, Gjeçaj, Memçaj, Wilkins, Shestani, Kopliku dhe Rakaj.

Artikulli paraprakKOMISIONI I POSAÇËM TAKIM NË SHKODËR
Artikulli tjetërQYTETARËT: TË SIGURTË ME KORSITË E REJA