Basketbollisti i Vllaznisë Gjon Ndoja ka thyer dorën dhe me shumë mundësi i ka dhënë lamtumirën këtij sezoni.

Shkodrani i kuqebluve ka pësuar dëmtimin e rëndë në transfertën që shkodranët zhvilluan ndaj Teutës në qytetin e Durrësit. Vllaznia arriti që të fitojë, fitorja e parë pas rezultateve negative në Kupë dhe më pas kampionat me Kamza Basket. Vllaznia mori fitoren ndaj durrsakëve por nga ana tjetër Ndoja një prej lojtarëve më të mirë që ka ekipi theu dorën duke qenë kështu një mungesë e rëndësishme për kuqeblutë në vazhdimësi. Në fakt ka qenë një përplasje sportive mes Ndojës dhe ish-basketbollistit të Vllaznisë Bruno Daliu që luan me Teutën që ka sjellë edhe këtë dëmtim. Gara sportive mes këtyre dy basketbollistëve gjithnjë është e fortë dhe asnjëri mbase nuk harron edhe incidentin që patën sezonin e kaluar mes tyre pas një ndeshje të zhvilluar në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Ajo që është e rëndësishme ka të bëjë me mungesën e madhe që krijon mosprania e Ndojës në skuadrën e Vllaznisë, skuadër e cila pas eleminimit në Kupë do të kërkojë që të mbajë sërish në Shkodër kurorën e kampiones. Kuqeblutë synojnë fitimin e titullit kampion dhe ka nevojë për çdo basketbollist që ta ketë në formën më të mirë. Ky dëmtim i Gjon Ndojës prish jo pak llogaritë e trajnerit të kuqebluve Bledar Gjeçaj. Në këto momente edhe disa basketbollistë kanë shfaqur një formë jo shumë të mirë sportive dhe duke shtuar këtu edhe këtë dëmtim që do e lërë Ndojën jashtë parketit ia shton problemet skuadrës shkodrane e cila duket se deri në fund nuk do ta ketë aspak të lehtë fitimin e titullit kampion, trofe i cili kërkohet me ngulm.

Artikulli paraprakFURGONËT E MALËSISË SË MADHE NUK LEJOHEN NË SHKODËR, ATO PROTESTOJNË
Artikulli tjetërIDENTIFIKOHET AUTORI I SULMEVE NË ANKARA