Dy basketbollistët amerikan Darryl Palmer dhe Joshua Freelove kanë mbërritur në Shkodër dhe janë prezantuar zyrtarisht me bluzën e Vllaznisë.

Palmer thotë se ka dëgjuar për Vllazninë se është një skuadër pretendente dhe se ka ardhur me dëshirë për të luajtur për kuqeblutë. “Kam zgjedhur që të vij tek Vllaznia sepse është një skuadër shumë e mirë. Më pëlqen që të luaj në Europë. Kam luajtur edhe më përpara dhe është mirë. Vllaznia është një skuadër me basketbollistë cilësor dhe shpresoj që të gjithë bashkë të bëjmë më të mirën për të arritur objektivat që Vllaznia ka. Natyrisht që jam këtu për të fituar titullin kampion dhe besoj se kemi për t’ja arritur qëllimit.

Më kanë pritur mirë dhe ndjehem mirë. Shpresoj që të tregoj vlerat që kam dhe të kontribuoj sado pak për ekipin tim. Nuk e di ende se si është basketbolli në Shqipëri por sido që të jetë do mundohem që të ambjentohem sa më shpejt dhe të realizojmë atë çfarë kërkohet tek Vllaznia”. Edhe Joshua Freelove ka qenë më përpara në një kampionat europian ndërsa thotë se arsyeja që ka zgjedhur Vllazninë është për të fituar trofeun. “E kam provuar të luaj në Europë sepse kam qenë me disa ekipe të ndryshme dhe them se ia kam dalë. Skuadra por edhe unë jemi ndarë të kënaqur. Shpresoj që e njëjta gjë të ndodh tek Vllaznia. Më kanë thënë se shkodranët e ndjejnë shumë sportin, jetojnë me të çdo ditë. Më kanë treguar se tifozët këtu janë të mrekullueshëm dhe se e mbështesin shumë skuadrën e tyre. Më vjen mirë që jam këtu. Patjetër që një arsye e fortë se përse kam zgjedhur Vllazninë është për të fituar titullin kampion ashtu siç ka ndodhur tre vitet e fundit me këtë ekip”. Vllaznia tashmë ka në përbërje edhe tre amerikanët, Seth Jackson, Darryl palmer dhe Joshua Freelove që bashkë me pjesën tjetër të skuadrës do synojnë fitimin e titullit kampion.