
Vllaznia e basketbollit ka humbur edhe gjysmëfinalen e dytë përballë Tiranës me rezultatin 86-90. Shkodranët janë mposhtur edhe në sfidën e parë në kryeqytet dhe tashmë bëhet shumë i vështirë kalimi në finale. Kuqeblutë kanë edhe një shans, teksa do të luajnë ndeshjen e tretë gjysmëfinale në Tiranë dhe në rast të një fitoreje qëndrojnë ende në lojë, por kjo tashmë duket e vështirë. Pas kësaj humbje, trajneri i Vllaznisë, Eni Llazani tha se një ndikim kryesor pati arbitrimi i njëanshëm në favor të Tiranës dhe disa dëmtime në ekipin e tij, duke mos qenë me të gjitha forcat në këtë përballje.
Tashmë, mbetet që Vllaznia të japë maksimumin në ndeshjen e tretë në transfertë për t’i dhënë vetes një mundësi që të luajë të paktën edhe një ndeshje në Shkodër. Vllaznisë i duhen dy fitore për të barazuar dhe për të luajtur sfidën e pestë dhe të fundit që do përcaktonte ekipin që shkon në finale.






