
Vllaznia e basketbollit të meshkujve ka humbur ndeshjen e dytë gjysmëfinale të kampionatit ndaj Besëlidhjes. Shkodranët pritën në “Qazim Dervishi” lezhjanët në një sfidë shumë interesante, ku nuk mungoi edhe mbështetja e madhe e tifozërisë kuqeblu. Fillimi i ndeshjes foli për fqinjët, të cilët fituan periodën e parë me rezultatin 24-15. Ndërkohë, në të dytën, Vllaznia reagoi dhe arriti të fitonte 22-19. Në periodën e tretë, Besëlidhja tregohet sërish superiore dhe dominon gjithçka, duke fituar 28-17. Edhe 10-minutat e fundit nuk dhuruan asgjë të re dhe në përfundim të takimit ishin kampionët në fuqi të vendit që triumfuan me rezultatin e përgjithshëm 92-74. Pas ndeshjes, trajneri i Vllaznisë, Eni Llazani kishte rezerva për gjykimin.
Nga ana tjetër, trajneri i Besëlidhjes, Afrim Bilali tha se ata e merituan fitoren me Vllazninë dhe përgëzoi atmosferën e krijuar në “Qazim Dervishi”.
Ndeshja e tretë do të luhet të enjten më 17-prill dhe në rast fitoreje të Besëlidhjes, rezultati do të shkonte në 3-0 dhe do të mbyllej gjithçka. Tashmë, shanset e Vllaznisë për të shkuar në finale janë gjithnjë e më të vogla.