Vllaznia në basketboll për meshkuj ka marrë një humbje turpëruese brenda në shtëpi që askush nuk e priste. Kuqeblutë humbën 72-90 nga rivalët e Tiranës në përballjen e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër. Kryeqytetasit dominuan që në fillim ndaj një Vllaznia kaotike në fushën e lojës që për asnjë moment nuk bënë asgjë për të ndryshuar fatet e kësaj sfidë që miqtë e fituan me 18 pikë diferencë.

Trajneri i Vllaznisë Nikola Milatoviç në mënyrë të papërgjegjshme dhe aspak profesionale nuk pranoi që të dalë përpara mediave edhe pse mediat pritën për afro 30 minuta. Në fakt interesi i tifozëve për basketbollin e meshkujve është i lartë por tekniku Milatoviç dhe pjesa tjetër e kësaj skuadra duke mos ditur si të kapërdijnë këtë humbje dëshpëruese ndaj Tiranës e shfrynë ngarkesën emocionale duke mos folur për gazetarët.

Kjo nuk është hera e parë që ndodh dhe më shumë se asgjë është një fyerje për tifozët e skuadrës dhe qytetin e Shkodrës sepse është një detyrim moral dalja para mediave përderisa klubi nuk ka komunikuar se do të ketë ndonjë heshtje për mediat ndaj do ishte mirë që sjellje të tilla amatore të mund të eleminoheshin. Nga ana tjetër trajneri i Tiranës, Erand Karaj vlerësoi këtë fitore të ekipit të tij ndaj Vllaznisë edhe pse nuk e priste me një diferencë prej 18 pikësh.

Tekniku i Tiranës u shpreh se skuadra e tij nuk është se ka bërë ndryshime të mëdha por është përqëndruar më shumë në lojën ndaj Vllaznisë.

Kjo fitore e Tiranës shprehet tekniku kryeqytetas nuk do të thotë asgjë dhe mendon se Vllaznia do vijojë të jetë një pretendente e fortë për titullin kampion.

Nga Vllaznia ditët e fundit është larguar basketbollisti amerikan Stone që ishte një pikë kyçe e skuadrës për arsye që nuk dihen ndërsa kanë ardhur dy lojtarë të tjerë, Davis dhe Dobbs por që qartazi nuk mund të ingranohen kaq shpejt me pjesën tjetër. Largime dhe afrime këto që sërish tregojnë gjendjen kaotike që Vllaznia ka dhe që bien ndesh me objektivat për titullin kampion, probleme të cilat klubi duhet t’i zgjidhë me veten dhe jo me tifozët apo mediat.

 

Artikulli paraprakMJEKJA: SËMUNDJA “DORË, KËMBË, GOJË” PREK TË GJITHA MOSHAT
Artikulli tjetërTEUTA-VLLAZNIA, BRDARIÇ: TË URITUR PËR NJË TJETËR FITORE