E kishte menduar shumë të vështirë përballjen me Teutën por në fakt, Vllaznia e ka patur në dorë fitoren ndaj saj.

Bëhet fjalë për takimin e rradhës të kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj, e luajtur pasditen e së mërkurës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.

Ndonëse kuqeblutë kanë qenë deri në 20 pikë avantazh në dy periodat e para, ata janë mundur në fund me rezultatin 76-84. Në fakt, është dashur koha shtesë për të përcaktuar fituesin e këtij takimi.

Kjo ngaqë koha e rregullt ka përfunduar në barazim 70-70.
Shkodranët e nisën mjaft mirë ndeshjen dhe e dominuan atë në dy periodat e para duke krijuar bindjen se do të fitonin ndonëse përballë kishin një kundërshtar shumë të fortë si Teuta.

Kjo e fundit kishte në rradhët e saj tre basketbollistë të huaj, dy amerikanë dhe një malazezë. Ky i fundit u bë protagonisti kryesor për përmbysjen e shifrave. Kjo humbje e Vllaznisë vë disi në diskutim zënien e vendit të katërt në tabelën e renditjes, vend ky që do ta çontë atë në play-off.

Duket se fati nuk është në anën e skuadrës kuqeblu kohët e fundit pasi edhe në ndeshjet e tjera të luajtura më parë kanë pësuar disa humbje rradhazi si në shtëpinë e tyre por edhe në transfertë.

Artikulli paraprakBORA, SJELL DËME NË BUJQËSI
Artikulli tjetërLAÇI – VLLAZNIA, NJË HUMBJE E PAMERITUAR