
Pas 11 fitoresh radhazi, Vllaznia e basketbollit për meshkuj është ndalur në shtëpi, duke u mposhtur me rezultatin 88-83 nga Teuta në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, ndeshja nisi më mirë për basketbollistët durrsakë, të cilët krijuan epërsi dhe shkuan në pushim me një avantazh prej 10-pikësh. Në periodën e tretë dhe të katërt, Vllaznia rregulloi diçka në lojën e saj, por basketbollistët kuqeblu nuk ishin në ditën e tyre më të mirë dhe i gjithë takimi u fitua nga Teuta me rezultatin 88-83. Pas sfidës, trajneri i Vllaznisë, Eni Llazani theksoi se skuadra e nisi dobët ndeshjen dhe u ndal edhe te gjykimi, duke bërë të ditur se klubi do të paraqesë raport pranë Federatës Shqiptare të Basketbollit dhe presin reagimin zyrtar.
Kështu, me këtë humbje ndalet seria e fitoreve të Vllaznisë.






