
Vllaznia e basketbollit të meshkujve ka nisur të marrë formë për sezonin e ri, teksa drejtuesit e Shoqatës kanë filluar të konkretizojnë përforcimet e para për skuadrën kuqeblu. Një prej lajmeve më të mira për Vllazninë është rikthimi i Jaydon Hibbit, i cili sezonin e kaluar spikati me paraqitjet e tij dhe tashmë ka rënë dakord për të vijuar bashkëpunimin me kuqeblutë edhe për një tjetër sezon. Rikthimi i tij pritet të jetë një vlerë e shtuar për ekipin shkodran, duke qenë se Hibbit e njeh ambientin dhe skuadrën. Ndërkohë, Vllaznia ka bërë edhe përforcimin e parë të ri.
Poashtu është prezantuar zyrtarisht Errol White, basketbollisti amerikan që vjen nga Lamar University, ku ka luajtur në NCAA Division I, niveli më i lartë i basketbollit universitar në Shtetet e Bashkuara. White pritet të jetë një tjetër alternativë e rëndësishme për formacionin kuqeblu, ndërsa drejtuesit vijojnë punën për të kompletuar grupin për sezonin e ri. Në ditët në vijim priten edhe afrime të tjera, pasi Vllaznia synon të ndërtojë një skuadër konkurruese dhe të jetë në garë për objektivat madhorë të sezonit. Kalimi në finalen e kampionatit mbetet një prej objektivave të skuadrës shkodrane, por gara pritet të jetë e fortë, pasi edhe ekipet rivale po punojnë për përforcimin e skuadrave të tyre.


