
Ankimimi i bërë nga dy ekipet e meshkujve në basketboll Vllaznia dhe Tirana për vendimet e rrepta të Komisionit të Disiplinës të Federatës Shqiptare të Basketbollit kanë dhënë efektin e duhur.
Lojtarët e pezulluar por edhe dënimi për trajnerin e Vllaznisë Bledar Gjeçaj janë ulur duke i dhënë një tjetër rrjedhë incidenteve të shënuara në ndeshjen mes Vllaznisë dhe Tiranës. Në këtë mënyrë Komiteti Drejtues që drejtohet nga vetë presidenti i federatës të basketbollit Avni Ponari ka vendosur që për trajnerin e kuqebluve Bledar Gjeçaj nga 6 muaj ta ulë në 3 muaj pezullimin dhe këto 3 muaj të dënimit tekniku Gjeçaj mund t’i paguaj kundrejt shumës 10 mijë lekë në muaj. Nga ana tjetër trajneri Gjeçaj do jetë i detyruar të paguaj një gjobë shtesë prej 70 mijë lekësh. Më i zbutur dhe anues në favor të tij është vendimi për lojtarin e Tiranës Erkand Karaj të cilit iu hoq totalisht pezullimi prej 6 muajsh edhe pse edhe ai goditi teknikun Gjeçaj ashtu siç bëri edhe trajneri shkodran më përpara. Karaj ka marrë vetëm një gjobë prej 50 mijë lekësh. Lojtarët e përfshirë në atë incident Ndoja dhe Bërdica të Vllaznisë dhe Shima dhe Xhonson të Tiranës do të paguajnë një gjobë prej 30 mijë lekësh. Po ashtu për lojtarin e Vllaznisë Gjon Ndoja është hequr pezullimi me 3 muaj dhe është i lirë për të luajtur në çdo ndeshje që do ketë skuadra shkodrane. Pavarësisht se vendimet e Komitetit Drejtues janë më të zbutura sërish janë favorizuese për Tiranën duke rënduar tek Vllaznia nga ana financiare. Këto dy ekipe do të përballen sërish këtë të diel në gjysmëfinalen e Kupës teksa ndeshja do të luhet në Durrës.






