
TRE AUTOBUZË ME TIFOZË DREJT TIRANËS, KUQELBUTË SHKOJNË PËR FITORE. Ekipi i Vllaznisë në Basketboll për meshkuj do të kërkojë sot në pallatin e sportit “Asllan Rusi” fitimin e titullit kampion për të dytin vit radhazi, ndaj Tiranës. Skuadra shkodranë ka arritur të fitojë dy takimet e para duke qenë kështu më e qetë në arritjen e suksesit pasi dhe gabimi nuk është se mund ti kushtojë asaj një dështim të madh.
Kjo pasi në bazë të rregullores, në qoftëse Vllaznia humbet në takimin e tretë do të luajë përballjen e katërt në Shkodër. Në fakt këtu është dhe pikëpyetja më e madhe për momentin, pasi akoma nuk dihet në qoftëse skuadra do ta mbyllë këtë kampionat në Tiranë apo do të lërë çdo gjë të hapur për ndeshjen e katërt që do të zhvillohet në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Drejtuesit e Vllaznisë në fakt kanë shprehur haptazi prej disa ditësh se nuk do të rrezikojnë për të bërë tolerime pasi sportit asnjëherë nuk i dihet dhe nuk mund të parashikoht. Por ajo që mban gjithmonë pezull situatën është atmosfera festive që për hir të së vërtetës nuk mund të jetë kurrë e njëjtë ajo në Tiranë me festen që bëhet në Shkodër. Mëgjithatë skuadra do të luajë sonte në orën 19:00 ndeshjen e tretë në Tiranë ku pritet të ketë një mbështetje dhe të tifozëve shkodranë të cilët gjithmonë kanë mbështetur ekipin qoftë në ndeshjet brënda ashtu dhe në transfertë.