E KONFIRMOJNË MEDIAT ITALIANË, MBROJTËSI SHQIPTAR ËSHTË DREJT LARGIMIT NGA LAZIO. Të paktën duke i besuar asaj që shkruajnë mediat italiane, Lorik Cana është drejt largimit nga Lazio dhe për të në fakt nuk mungojnë ofertat në klubin kryeqytetas. Në ditët e shkuara, është folur për interesimin e Schalke 04, por në ndjekje të Lorik Canës është dhe një klub tjetër i Bundesligës, pikërisht Bayer Leverkusen, klub që do të luajë këtë vit në Champions League, duke e nisur nga ndeshjet e play-off, pasi e përfundoi kampionatin në vendin e 4-t të klasifikimit.

Në të shkuarën, Cana ka pranuar publikisht pëlqimin e tij për Bundesligën për shkak të futbollit që aplikohet aty, mënyrës se si e përjetojnë tifozët futbollin, por padyshim dhe ambicies për të vijuar një tur prestigji në kampionatet më të fortë të Europës pas eksperiencave në Ligue 1 në Francë, Premier League angleze, Superligën turke dhe së fundmi dhe Serinë A.  Megjithatë, në transferimin e Canës një rol të rëndësishëm ka dhe Lazio, pasi ai ka një kontratë që skadon vitin e ardhshëm dhe Presidenti Lotito kërkon të përfitojë një shumë financiare që, sipas mediave italiane, është të paktën 1 milion Euro nga transferimi i tij.