Në mbledhjen e Kryesisë, Bashkimi Demokratik për Integrim vendosi që të jetë pjesë e Qeverisë së re të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë edhe pse presidenti nuk e ka mandatuar kryetarin e saj Zoran Zaev.

Sipas agjencisë INA, vendimi i BDI u bë i ditur nga zëdhënësi i saj, Bujar Osmani, i cili tha se në këtë mënyrë respektohet vullneti i shqiptarëve. Osmani i bëri thirrje Ivanovit që, në përputhje me detyrimet kushtetuese t’ia japë mandatin Zaevit , shumicës së re parlamentare të konfirmuar me nënshkrimin e 67 deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë. “Njëkohësisht ftojmë z. Ivanov si dhe partitë politike në Maqedoni të jenë të matur dhe të kujdesshëm në deklaratat e tyre në mënyrë që të mos rrezikojnë të ardhmen e përbashkët të qytetarëve të Maqedonisë”, u shpreh Osmani. Më herët kreu i BDI Ali Ahmeti kishte paralajmëruar se nuk do të tërhiqeshin dhe se ajo që Ivanov e quan platformë, është thjeshtë një marrëveshje e mbështetur mbi programet e partive dhe se nuk ka vend për kompromis tashmë pasi në lojë është marrëveshja e Ohrit.