Zëvendës presidenti i Komisionit Evropian paralajmëroi se nuk duhet rënë në vetëkënaqësi në lidhje me pandeminë COVID-19 pasi varianti shumë infektues delta, i zbuluar për herë të parë në Indi, vazhdon të përhapet në kontinent.

Gjatë një takimi të një komisioni parlamentar të Bashkimit Evropian, Margaritis Schinas tha se një udhëzim i fundit nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) tregon se varianti delta pritet të përbëjë 70% të të gjitha rasteve të reja në Evropë deri në gusht dhe 90% deri në fund të atij muaji.

Sipas tij, skenarët e ECDC-së sugjerojnë se lehtësime të mëtejshme të kufizimeve të sigurisë së koronavirusit do të çonin në “një rritje të konsiderueshme të rasteve ditore në të gjitha grup-moshat me një rritje të shtrimeve në spital dhe ndoshta vdekjeve“.

Schinas shtoi se ai kishte dyshime në lidhje me vendimin që stadiumi Wembley i Londrës të mbante gjysmëfinalen ose finalen e evropianit në futboll me kapacitet të lartë. Ai tha se duke pasur parasysh kufizimet e udhëtimit të Britanisë në lidhje me Evropën, “duhet të ketë një simetri mes këtyre vendimeve”.

“Mendoj se UEFA do të bënte mirë të analizonte me kujdes vendimin e saj“, shtoi ai. Qeveria britanike ka thënë se stadium Wembley do të lejohet të zhvillojë gjysmëfinalet dhe finalet e Euro 2020 me të paktën 60.000 tifozë”, tha Schinas.

Ministri i ri britanik i Shëndetësisë, Sajid David tha dje në Parlament se ai nuk sheh ndonjë arsye që qeveria të mos vazhdojë me planin e saj për të hequr të gjitha kufizimet në vend deri më 19 korrik.