Ministri italian i Shëndetësisë Roberto Speranza do të prezantojë më 2 dhjetor në parlament planin strategjik për blerjen e vaksinës anti-Koronavirus.

Blerja e dozave do të jetë e centralizuar nga shteti, teksa Komisioni Europian firmosi një marrëveshje me kompaninë Moderna.

Italia parashikon blerjen e 80 milionë dozave, me një opsion për blerjen e 80 milionë të tjerave.

Shteti apenin do të tentojë të arrijë marrëveshje me disa prej kompanive farmaceutike që po punojnë mbi vaksinën anti-Covid e që janë AstraZeneca, Sanofi-GSK, Janssen Pharmaceutica NV, BioNTech-Pfizer dhe CureVac.

PLANI I QEVERISË – “Ne do të duhet të ndërtojmë një fushatë shumë të madhe vaksinimi. Ajo nuk do të mbërrijë menjëherë për të gjithë, por në fillim do të ketë disa milionË doza. Italia do të ketë 13.65% të vaksinave të mundshme tashmë në Evropë“, shpjegoi Speranza.

Dozat e para që duhet të mbërrijnë duhet të jenë ato të prodhuara nga Pfizer: 3.4 milionë doza, dhe meqenëse duhen dy për person, 1.7 milionë individë mund të vaksinohen.

Ndërkohë, çështja e natyrës së detyrueshme mbetet në terren të diskutimit, edhe nëse në përgjithësi orientimi duhet të jetë ai i ‘rekomandimit’.

“Mundësia e detyrimit për disa kategori do të vlerësohet në vijim“, tha Agostino Miozzo, koordinatori i Komitetit Teknik Shkencor.