
Sundimi i ligjit dhe normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës janë gjëra kyçe të cilat duhen plotësuar për anëtarësimin përfundimtar të Serbisë në BE.
Sipas, kryenegociatores të ekipit serb në BE, Tanja Mishçeviq, negociatat e pranimit nuk janë duke përparuar në shpejtësinë e duhur. Ajo ka thënë se disa vende të Ballkanit nuk dëshirojnë të hyjnë në BE ose kanë qëllime të caktuara për të ngadalësuar procesin, shkruan ‘Blic’, transmeton lajmi.net. Ndërsa, raportuesi i PE-së për Serbinë, David McCalister më parë ka deklaruar se Serbia duhet të luftojë kundër korrupsionit, të ketë sundim të ligjit, liri të medias dhe të zgjidh çështjen e Kosovës. “Të gjitha kushtet ligjore, politike dhe ekonomike duhet të plotësohen për t’u bërë anëtare e BE-së. Është e nevojshme të mbyllen të 35 kapitujt”, ka thënë McCalister.
Mirëpo, sipas ligjëruesit të Shkencave Politike, Filip Stojanoviq zgjidhja e problemeve me Kosovën nuk është e mjaftueshme për të hyrë në BE. “Qytetarët mund të mendojnë se kjo është e mjaftueshme por harrojnë se thelbi është tek reforma dhe ndryshimi në të gjithë vendin. Ne si dhe vendet fqinje jemi të zhytur në korrupsion, me ekonomi të trazuar dhe këto janë gjëra që duhet të ndryshohen . Sundimi i ligjit është në fakt diçka që përshkon nëpër të gjitha segmentet e jetës dhe këto janë problemet më të mëdha”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka shtuar se nuk është çështja nëse BE-ja dëshiron ta pranoj Serbinë por nëse ne duam dhe jemi gati. “Unë do të thosha se nuk jemi ende sepse nuk ka të bëjë vetëm me kushtet politike”, ka përfunduar Stojanoviq.






