
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mbajti një takim me trupën diplomatike në Shqipëri, duke nënvizuar rolin e vendit tonë si promotore e stabilitetit dhe dialogut konstruktiv në Ballkanin Perëndimor. Në fjalën e tij, Presidenti Begaj përmendi se rajoni ka një potencial të madh, por gjithashtu mbart ndjeshmëri historike, e cila kërkon vizion, përgjegjësi dhe bashkëpunim të qëndrueshëm mes vendeve. Ai vuri në dukje se Shqipëria vazhdon të avancojë marrëdhëniet me Kosovën, komunitetet shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Mal të Zi, duke mbështetur dialogun dhe partneritetin e ndërsjellë. Presidenti Begaj shtoi se Shqipëria synon të ruajë një qasje të bazuar në mirëkuptim dhe respekt reciprok në marrëdhëniet rajonale, duke promovuar njëkohësisht interesat kombëtare dhe arsyet e vendit tonë.
Fjala e presidentit Begaj:
“Ballkani perëndimorë mbetet një hapësirë me potencial të madh por edhe me ndjeshmëri historike që kërkon vizion, kërkon përgjegjësi, kërkon dhe bashkëpunim të qendrueshëm.
Në nivelin e marrëdhënieve rajonale, Shqipëria vazhdon të mbetet promotore e stabilitetit dhe dialogut konstruktiv në rajon.
Duke avancuar në lidhje me Kosovën, në komunitetet shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë dhe Mal të Zi.
Në kontaktet e saj me vendet e rajonit, Shqipëria ka treguar mirëkuptim dhe qasje të bazuar në partneritet, ndërsa promovon arsyet dhe interesat e saj.”






