Drejtuesi politik në Qarkun e Shkodrës, Ilir Beqaj i ka kërkuar ndjesë socialistëve shkodranë, pasi nuk arriti të fitojë mandatin dhe nuk do të jetë pjesë e kuvendit të ardhshëm.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Beqaj i është drejtuar të gjithë banorëve të Qarkut të Shkodrës duke i falënderuar për kontributin e tyre në procesin zgjedhor.

Ai gjeti rastin të falënderojë të gjithë kandidatëve të të gjitha subjekteve politike, 30,296 vajzave dhe djemve, grave e burrave votues të Partisë Socialiste në qarkun Shkodër, patronazhistët dhe familjen e tij.

Beqaj përgëzoi veçanërisht kandidatët fitues të Partisë Socialiste.

“Jam përpjekur të bëj maksimumin tim, por ja që nuk ka mjaftuar. Sipas zgjedhjes suaj, unë nuk do të jem në Kuvendin e ardhshëm si përfaqësues i juaji. E dëshiroja shumë të kisha privilegjin të kontribuoja edhe unë për Shkodrën.”, shkruan ish-ministri i Shëndetësisë.

 

Në qarkun e Shkodrës tashmë është mbyllur numërimi i kutive më fletët e votimit dhe Ilir Beqaj nuk arriti dot të fitojë mandatin.