
Islami Isufi sot është 84 vjeç. Prej 63 vitesh ai ushtron me pasion profesionin e berberit, të cilin e nisi që në moshën 21-vjeçare në Koplik, duke ndjekur dëshirën e tij të hershme për këtë zanat. Sot ai punon në dyqanin e tij modest në Dobraç të Ri, ku pret flokët me të njëjtin kujdes si dekada më parë.
Për Islamin, kjo punë nuk është vetëm mjet jetese, por edhe një mënyrë për të kaluar ditën me njerëz e për të qëndruar aktiv. Të ardhurat janë të pakta, thotë ai me sinqeritet, por shton se kënaqësia e profesionit e mban ende pranë gërshërëve.
Megjithatë, Islami vëren me keqardhje se të rinjtë nuk kanë më dëshirë të mësojnë këtë zanat, madje as fëmijët e tij.
Në fund, mjeshtri 84-vjeçar ka një mesazh të thjeshtë për brezin e ri, Duajeni punën që bëni, sepse vetëm kështu ajo ju shpërblen shprehet Islami.


