
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme për masën e sigurisë të vendosur në kuadër të hetimeve për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë.
Pasi doli nga SPAK-u, Berisha deklaroi për mediat se:
Së pari, një përshëndetje të përzemërt të gjithëve ju miq që jeni këtu dhe të gjithë qytetarëve që ndjekin këtë prononcim para shtypit në oborrin e selisë së Partisë Socaliste bis, numër 2 apo seksionin special të kësaj partie.
Edhe njëherë dua të denoncoj krimin monstruoz të amnistisë nga ky institucion partiak të krimit elektoral. Krimi elektoral në Shqipëri është sot i certifikuar me dokumentet më themelore të institucioneve ndërkombëtare që merren me zgjedhjet.
Krimi elektoral në Shqipëri ka arritur formën më të egër, më barbare, atë që quhet parti-shtet. Institucionet më serioze ndërkombëtare, ODIHR, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe Parlamentin Evropian kanë gjetur se zgjedhjet e 11 majit, partia dhe shteti, institucioni dhe strukturat partiake u shkrinë në një.
Ky seksion i PS kryen krim të rëndë kushtetues kur nuk heton krimin elektoral dhe e amniston atë. Shndërrohet në patericë kryesore të narkoshtetit dhe jo rastësisht mund t’u them se radhën tjetër do vij me maska antidrogë se aty qelbej drogë vendi.
Nuk e di se ç’kishte ndodhur sot, por u detyrova të përdor një shami xhepi si maskë për shkak të kundërmimit në të katër anë drogë të këtij institucioni. Dhe krenarë se janë institucion i narkoshtetit. Krenarë se mbrojnë narkoshtetin, i cili përbën pushtuesin më të egër të kombit shqiptar në të gjitha kohërat. Përbën shkatërrimtarin më të madh të qenies sonë kombëtare, varfëruesin më të madh të shqiptarëve.


