Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka përkujtuar sot martirët e 2 Prillit 1991 në një ceremoni në Shkodër, duke theksuar se ata mbeten një burim frymëzimi për çdo qytetar që beson tek liria dhe e drejta e votës.

Në fjalën e tij, Berisha nderoi Arben Brocin, Bujar Bishanakun, Nazmi Kryeziun dhe Besnik Cekën, si dhe dhjetëra qytetarë të plagosur në atë ngjarje tragjike.

Ai e cilësoi 2 Prillin si një moment kyç në luftën kundër diktaturës dhe rikujtoi se sakrifica e tyre pati jehonë të madhe ndërkombëtare.

Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:

Sot jemi këtu për të shprehur nderimin tonë më të thellë, mirënjohjen më të pakufishme për martirët e votës së lirë.

Heronjtë e vërtetë të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë.

Arben Brocin, themelues i pluralizmit dhe PD-së.

Bujanar Bishanakun, aktivist i shquar.

Nazmi Kryeziun, aktivist i shquar i PD dhe Besnik Cekën, aktivist i shquar i kësaj partie.

Por ne nderojmë gjithashtu edhe 87 qytetarë të Shkodrës, që u plagosën në atë ditë masakre, të cilën Shkodra nuk e kishte regjistruar ndonjëherë në kohërat e reja në memorien e saj.

Më 2 prill të vitit 1991, diktatori i fundit stalinist në Europë, Ramiz Alia, i cili kishte pranuar zgjedhjet pluraliste, vendosi të festojë fitoren e grabitur në Shqipëri të zgjedhjeve me gjakun e të rinjve të Shkodrës nën motivin se pushteti do gjak, se pushteti vjen nga gjaku.

Gjakësorë siç ishin, ata i dëshmuan Shkodrës dhe Shqipërisë se si pushtues të brendshëm, nuk dallonin aspak nga pushtuesit e tjerë. Madje kishin pabesinë dhe mizorinë në shpirtin e tyre, nuk ngurruan të lajnë me gjak këtë qytet të bekuar.

Të dashur miq, sakrifica sublime e martirëve të votës së lirë, të dhjetëra e dhjetëra qytetarëve të Shkodrës që u plagosën atë ditë, pati jehonë të jashtëzakonshme ndërkombëtare. Zgjoi revoltën, dënimin e ashpër të mbarë opinionit demokratik evropian, të Parlamentit Europian, Këshillit të Europës, Kongresit të SHBA.

Me të vërtetë martirët e votësë lirë u ndanë atë ditë nga jeta, por mbetën të pavdekshëm në shpirtin e lirisë, në votën e lirë. Ndaj dhe ata janë sot burim drite, burim frymëzimi për çdo qytetar që i beson lirisë dhe votës së saj. Martirët e 2 Prillit janë frymëzim i madh për çdo qytetar të sakrifikojë për lirinë dhe votën e saj.

Artikulli paraprakAKSIDENT NË RRUGËN E KOMBIT, 2 VIKTIMA
Artikulli tjetër“EKONOMIA QARKULLUESE DHE TRANSFORMIMI I GJELBËR”