
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me kryetarët e degëve të PD-së në të gjithë vendin, në përgatitje të protestës kombëtare të thirrur për 24 janarin. Në fjalën e tij para drejtuesve të degëve, Berisha e konsideroi këtë vit si “vitin e sfidës më të madhe dhe përcaktues për të ardhmen e Shqipërisë”. Ai theksoi se PD ka arritur të ekspozojë para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar dramatikën e qeverisjes së Edi Ramës, të cilën e quajti “narkoshtet” dhe “autokraci elektorale”.
“Ai ka krijuar një mburojë rreth veprimtarisë së tij kriminale si drejtues i organizatës kriminale shtetërore më të rrezikshme në Europë, që është qeveria e tij,” tha Berisha.
Berisha u shpreh se PD ka arritur të siguronte shtatë rezoluta ndërkombëtare të miratuara nga partitë e spektrit tonë politik në Europë dhe SHBA, duke dëshmuar “tiparet kryesore të narkodiktaturës së Edi Ramës” dhe përqendrimin anti-ligjor të pushtetit në duart e tij. Ai shtoi se qeveria kontrollon çdo qelizë të shtetit përmes lidhjeve me krimin dhe drogën, duke qenë një “armik i pluralizmit”.






