Sali Berisha e quajti kontratën e lobimit me kompaninë amerikane “Continental” të ligjshme, e bërë në kuadër të përmirësimit të marrëdhënieve të opozitës shqiptare me shtetin amerikan. Berisha tha në konferencën e sotme për shtyp se paratë paguhen nga shqiptarët patriotë që kanë krijuar një fondacion për të mbrojtur popullin opozitar nga qeveria e Ramës dhe balta ndaj PD-së. Ai e cilësoi transparente, teksa theksoi se nuk janë 6 mln dollarë, pasi marrëveshja mund të ndërpritej në çdo kohë dhe kjo shumë nuk ishte e lëvruar, ndoshta duke paralajmëruar kështu edhe faktin se mund të ketë tërheqje në të ardhmen. Por ai tha se për këtë marrëveshje është kontraktuar avokati numër një afër presidentit Amerikan Donald Trump.

Deklarata e Berishës para gazetarëve:

“Kjo kontratë ka një qëllim tjetër. Marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-të, paraqitjen e realitetit shqiptar me të gjithë problematikat e mëdha të tij para administratës së SHBA-ve. Nuk mund të ndodhë dhe nuk do ndodhë më që pa u mbyll kutia e fundit, Edi Rama urohej për fitoren.

Së dyti ne besojmë se bashkëpunimi i Ramës me bandat kriminale është rrezik jo vetëm për Europën, por edhe për SHBA. Çështja McGonigal është varr i hapur dhe nuk mbyllet. Marrëdhëniet me SHBA kanë prioritet dhe ne nuk mund të heshtim, u hodh shumë baltë ndaj partisë tonë, PD-së dhe ndaj u mor një avokat që ka për detyrë përfaqësimin e kauzave të PD-së pranë presidentit amerikan.

Nuk ka të bëjë me zgjedhjet, fare! Ka një nen, 21 i ligjit të Pative Politike, nen që autorizon partitë që të marrin ndihma, mbështetje financiare, nga forcat e tjera politike, organizata ndërkombëtare politike dhe fondacione. Pra kontrata është 100% e bazuar në ligj. Ndaj s’mund të flasësh as për 6 milionë, as për 200 apo 600 mijë.

Populli opozitar nuk është popull jetim, Rama duhet të marrë të gjithë përgjigjen që meriton për atë që i ka bërë Shqipërisë, grushtin e tij për një vend pa opozitë. Lidhur me milionat që numëroni, kontrata ka një nen, sipas të cilit, palët në çdo rrethana që e e konsiderojnë të dobishëm për veten, ndërpresin kontratën. Kontrata varet sipas kërkesave të palëve, objektivave të palëev, ndaj një gjë është e sigurt, populli opozitar nuk është jetim, kauzat do mbrohen nga një avokat që do mbrojë kauzën opozitare.

Ja tek e keni kontratat e Ramës, instalacioni 5 milionë euro. Kurse kjo kontratë, me avokatin numër një, ka si qëllim mbrojtjen e kauzave të opozitës dhe popullit opozitar ndaj një narkodiktatori. Ishim me një takim, ju s’e imagjinoni reagimin e shtetarëve, kur ne shpjegonim 130 mln euro të zhdukura dhe inceneratori nuk ekzistonte. Na u desh t’ia shpjegonim 3 herë dhe si dhe pse, se firma ishte e Edi Ramës. Kur shpjegonim vrapin e Ramës me gërshërë në dorë e pinca në krah. Ditët i ka të numëruara,ftojmë çdo shqiptar t’i përgjigjet thirrjes së brendshme, idealeve dhe europianëve, që ia dogjën pasaportën Edi Ramës. Ajo që del nëpër studio, iku, mori vijë të kuqe, mori fund, s’ka pasaportë Edi Rama.

Referohu si të duash, derisa ka shërbim të ofruar, PD s’mund ta mohojë. Ka patriotë,atdhetarë, antikomunistë që shohin te Rama shkatërrimtarin e kombit dhe kanë krijuar fondacion për të ndihmuar PD-në. S’e kanë krijuar për të ndihmuar veten e tyre, por për PD-në”.

Artikulli paraprakRAMA: KUR E MORËM NE QEVERINË, SHQIPËRIA ISHTE E FUNDIT FARE, KURSE SOT JEMI NJË HAP LARG EUROPËS
Artikulli tjetërKANDIDATI KLITI HOTI TAKIM ME PËRFAQËSUES TË SINDIKATAVE