
Ish-kryeministri Sali Berisha, është ndalur këtë të dielë në Vaun e Dejës për ‘Foltoren’ e radhës me demokratët. Berisha u shpreh se kreu i PD, Lulzim Basha ka degraduar pasi ka mashtruar qytetarët para kamerave ndërsa shtoi se organizatat kriminale marrin vendime në Parlament.
Berisha ditën e sotme e quajti të rëndësishme për PD-në, ndërsa deklaroi se në 6 bashkitë, Durrës, Shkodër, Peshkopi, Lushnjë, Rrogozhinë dhe Vorë, anëtarët e PD votojnë dhe zgjedhin kandidatin për të garuar në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.
Berisha tha se primaret janë metoda më demokratike e zgjedhjes së përfaqësuesve të qytetarëve ndërsa shtoi se qytetarët së shpejti do zgjedhin edhe kryeministrin e tyre.
Akuzat ndaj Lulzim Bashës nuk munguan, ku Berisha tha se ‘Lul Brava’ degradoi në atë shkallë sa para kamerave të televizioneve i tha shqiptarëve se aty ku ishin 1958 karrige janë të ulur 5004 delegatë dhe 5004 vota, duke ju referuar Kuvendit të kreut të PD më 18 dhjetor.






