Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një takim me të rinjtë e FRPD-së, takim në të cilin vijoi me akuzat për kryeministrin Edi Rama. Berisha thotë se Rama e ka kthyer Shqipërinë në monizëm të plotë, e ndërsa e akuzon kreun e qeverisë se ka kapur të gjitha institucionet.

“Në Shqipëri është vendosur monizmi i plotë, Edi Rama kontrollon në mënyrë të hekurt të gjitha pushtetet. Për gabime të rënda edhe të PD, e cila bojkotoi zgjedhjet lokale, sot në të gjithë Shqipërinë, PD ka vetëm një pushtetar vendor, kryebashkiakun e Shkodrës. Erdhëm në një situatë kritike. Regan e thotë me shumë të drejtë që demokracisë i mjafton një gjeneratë për të zhdukur”, tha Berisha.

Ndërkohë, Berisha u ndal edhe në ekspozitën që kryeministri hapi në Athinë me pikturat e tij. Berisha tha se Rama shëtit nëpër botë duke ekspozuar zhgarravina, referuar pikturave të kreut të qeverisë.

Berisha u ndal edhe tek çështja e McGonigal, për të cilën thotë se Rama pagoi ish-agentin e FBI Vharles McGonigal që të shkatërrojë Partinë Demokratike dhe opozitën shqiptare.

“Edi Rama, që shëtit nëpër botë duke e ekspozuar zhgarravina, të cilat dy kritikë i cilësuan zhgarravina të një aduti të droguar, arriti të korruptojë kryezbuluesin e SHBA, të FBI, ta kontraktojë atë si vrasës me pagesë ndaj PD-së dhe opozitës shqiptare.

Ky skandal ka marrë përmasa botërore, por në ato kushte, kur vërtet po bëheshin përpjekje për të asgjësuar PD-në si forcë të vërtetë politike opozitare, ishin të rinjtë, forumi rinor, i pari që mbështeti nismën me të cilën unë kundërshtova vendosmërisht atë përpjekje shkatërrimtare për opozitën shqiptare”, tha Berisha.

Artikulli paraprakKTHEHET ORA VERORE, TË DIELËN AKREPAT SHKOJNË 60 MINUTA PARA
Artikulli tjetërKURTI NESËR NË TIRANË, TAKIM ME RAMËN! MARRËVESHJA ME SERBINË NË FOKUS TË BISEDIMEVE