
Gjatë konferencës ndërkombëtare “The Western Balkans Paradigm”, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një fjalim kritik ndaj situatës aktuale politike dhe kriminale në Shqipëri.
Ai ka ngritur shqetësime serioze lidhur me përfshirjen e grupeve kriminale në jetën politike dhe institucionale të vendit, duke e akuzuar drejtpërdrejt qeverinë e kryeministrit Rama për lidhje me kartelet e drogës dhe për kthimin e Shqipërisë në një qendër operative të krimit ndërkombëtar.
Ai gjithashtu ka kritikuar mënyrën sesi përjashtohen kompanitë evropiane nga prokurimet publike, duke e cilësuar këtë si një shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare.
PJESË NGA DEKLARATA:
Së treti, sipas Departamentit të Shtetit, qendra operacionale e organizatave kriminale të Europës, të Amerikës Latine dhe të Lindjes së Mesme është kthyer Shqipëria.
Shqipëria eksporton kriminelë dhe drogë.
Kartelet e drogës janë kaq të fuqishme sa ato e kanë në kontroll të plotë, portin më të madh të vendit, Durrësin.
Asnjë kg kokainë nuk kapet në këtë port, ndërkohë që antimafia italiane kap tonelata drogë dhe identifikon se tonelata të tjera kalojnë përmes Durrësit për të shkuar drejt Italisë apo Gjermanisë.
Karteli Çela kontrollon qarkullimin e heroinës nga vendet lindore, 70 përqind kalojnë përmes Elbasanit.
Elbasani është kryeqyteti i kartelit Çela dhe kontrollon të gjithë qarkullimin.
Tani cilat janë pasojat?
Në delegacionin e radhës në BE, në qoftë se këto kartele vendosin që përfaqësuesit e tyre të jenë pjesë e delegacioneve në Këshillin e Stabilizimit, në Këshillin e Europës dhe në agjencitë e tjera.
Pse? Sepse ato kanë qenë shumë aktivë gjatë zgjedhjeve.






