Ish-Kryeministri Sali Berisha, duke iu drejtuar mbështetësve të tij nga ballkoni i banesës, ku qëndron në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit 2023, e cilësoi rezolutën e miratuar me votat e socialistëve të Kryeministrit Edi Rama në Kuvendin e Shqipërisë, si një gjethe fiku për të mashtruar shqiptarët dhe BE-në, se Qeveria heq dorë nga vjedhja. Berisha tha se sot gjithë ditën hajdutët më të mëdhenj që ka pasur Shqipëria dhe kombi përdhosën parlamentin me betimin e tyre të rremë se nuk do të vjedhin më.

“Edi Rama dhe hajdutët e tij ministra sot menduan se me një rezolutë gjethe fiku do mashtrojnë shqiptarët dhe BE-në se ata hoqën dorë nga vjedhja e qytetarëve shqiptarë.

E vërteta është se në doktrinën e vjedhjes ka një ligj: hajduti sa më shumë ka vjedhur, aq më shumë kërkon të vjedhë. Ai nuk ngopet kurrë! Edi Rama, siç e dini, u bë kryeministër i denoncuar nga OSBE në raport se ka vjedhur dhe fshehur në bankat offshore 200 milionë euro. U garantoj se këto 10 vite, së paku janë shumëfishuar disa herë këto 200 milionë”, tha Berisha. Në vijim, ish-Kryeministri tha se Rama është njeriu që me një shpejtësi të rrufeshme ndërtoi sistemin më të tmerrshëm të vjedhjes që kanë njohur shqiptarët

“Edi Rama vetëm me djegësin e Tiranës, të Elbasanit dhe të Fierit ka vjedhur së paku gjer tani 200 milionë euro bashkë me Erion Veliajn të Tiranës.

Edi Rama me firmën e tij po grabit 1 milion e 400 mijë metër katrorë tokë truall publik në qytetin e Durrësit, në të cilin ai me Alabarin e tij merr përsipër të ndërtojë Dubai City-n dhe të bëhet vetë miliarder. Edi Rama është kryeministri i vetëm në Europë dhe në botë, i cili do firmosë për çdo banesë dykatëshe dhe për çdo kullë 60-katëshe që ndërtohet në Shqipëri. Te kullat e ka shpirtin se aty rëndom thonë se tani merr 30 përqind në xhep. Edi Rama me firmën e tij u dha investitorëve strategjikë rreth 6 milionë metër katrorë tokë për resorte në të cilat vetë është aksionar së paku me 30 përqind. Edi Rama është njeriu që me një shpejtësi të rrufeshme ndërtoi sistemin më të tmerrshëm të vjedhjes që kanë njohur shqiptarët. Enturazhi, rrethi i tij familjar ndjek me lakmi si grabitqarë rrugën e tij. I vëllai merr me firmë të tij 37 mijë metër katrorë tokë publike dhe private për biznesin e tij. Thjeshtra fiton kompania ku punon dhjetëra e dhjetëra tendera dhe nuk deklaron siç do ligji asnjë qindarkë të saj. Sepse thotë ajo nuk është e familjes, paçka se ligji në mënyrë të prerë e njeh atë si anëtare të familjes, Edi Ramës dhe Linda Ramës. Po kështu baxhanaku qindra tendera”, tha Berisha.

Artikulli paraprakOKB I BËN THIRRJE IZRAELIT TË HETOJË SULMIN NË RAFAH
Artikulli tjetërMIRATIMI I REZOLUTËS ANTI-KORRUPSION, META: POSHTËRIM NDAJ TË ASHTUQUAJTURËS REFORMË NË DREJTËSI