Ish-kryeministri Sali Berisha do të paraqitet sot në SPAK në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” për aferën Partizani. Kreu i PD-së po gjykohet me akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë.

Herën e kaluar që ishte në SPAK, Berisha vijoi sulmet ndaj gjyqtares së hetimeve paraprake Irena Gjoka , për të cilën kërkoi shkarkimin nga detyra me pretendimin se ka fshehur dënimin dhe dëbimin nga Greqia për falsifikim dokumentesh. Berisha tha se i ka kërkuar edhe KLGJ-së që të shqyrtojë mandatin e saj.
Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues, sipas prokuroreve, ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Edhe Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Pak ditë më parë, GJKKO rrëzoi kërkesën e Malltezit dhe Argita Berishës për heqjen e sekuestros për pasuritë. Ndërkohë seanca e radhës për aferën Partizani në GJKKO do të mbahet më 10 nëntor ora 11:00.

Artikulli paraprakMJEKËT E SHQIPËRISË DHE RAJONIT EMIGROJNË DREJT GJERMANISË, JA SHIFRAT
Artikulli tjetërSPIROPALI VIZITË ZYRTARE NË HAGË, PRITET NGA MINISTRI I JASHTËM