
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një konferencë për mediat në selinë blu, ku ka komentuar protestat e zhvilluara nga studentët, gjimnazistët dhe qytetarët në Tiranë.
Sali Berisha: Me trimërinë e tyre, vajzat dhe djemtë e gjimnazeve dhe të universiteteve kanë fituar një simpati botërore. Studentët kanë bërë krenar sot me trimërinë, guximin e tyre çdo shqiptar. Protesta të shumta ka kudo. Por mediat ndërkombëtare më të mëdha, rrjetet më të fuqishme sociale janë të mbushura me skenat e heroizmit studentor dhe barbarisë qeveritare në rrugët e Tiranës.
Ata kanë lartësuar emrin dhe dinjitetin e shqiptarëve. Edi Rama u përpoq t’i përlyejë njëlloj siç bëri me flamingot në sallën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në sallën më preçizoze, ku në pafytyrësinë më të madhe shpalli protestën e tyre si protestë antisemite. Vetëm e vetëm që të mund t’i jepte ngjyra me të cilat ajo s’mund të kishte asnjë mbështetje. Edvin Kristaq Xhelati, i kthyer në genet e etërve të tij, tregoi fytyrën e vërtetë në këtë protestë, duke urdhëruar mercenarë të paguar, vrasës me pagesë të qëllojnë me armë absolutisht në zonat e ndaluara me ligj shqiptar dhe ndërkombëtar.
Urdhëroi barbarë të shkelmojnë trupat gjysmë me ndjenja, gjysmë pa ndjenja të protestuesve të rënë nga goditjet e tyre, t’u thyhen kockat. I përplasi ata në salla të mëdha torture. Askush në Europë dhe në botë nuk i besoi akuzat e tij për Antifa. Jo, lëvizje studentore kundër korrupsionit, kundër vjedhjes së zgjedhjeve, kundër mbrojtjes së korrupsionit të Lubi Ballukut e të vetes së tij. Pra, protesta, sakrificat e atyre qindra, qindra studentëve dhe qytetarëve, edhe gjimnazistëve që u përballën dhëmbë për dhëmbë me falangat e krimit të qeverisë, ishte mesazhi më i shkëlqyer. Ishte zëri më i fuqishëm i një populli, i një shoqërie që lëngon në diktaturën e egër, në narkodiktaturën e egër të tij.


