Ish- kryeministri Sali Berisha ka lëshuar akuza të forta në drejtim të ambasadorit amerikan Donald Lu pas apelit që bëri sot se politika duhet të gjejë gjuhën e përbashkët për të zgjedhur Kryeprokurorin e ri. Berisha akuzoi ambasadorin Lu se është në konflikt interesi, pasi është akuzuar për korrupsion nga kryeprokurori Adriatik Llalla.

 

 “Donald Lu është në konflikt interesi. Ai do që Llalla të ikë sepse e vërteta është që Llalla e ka akuzuar Zotin Lu për korrupsion. Prokurori i shtetit e ka akuzuar se i ka shkuar në zyrë dhe i ka kërkuar të ndërpresë hetimet për X çështje. Kjo është shumë e rëndë. Kjo nuk ka ndodhur në 27 vite që prokurori i shtetit të akuzojë një ambasador. Zoti Lu duhet t’i përgjigjej, por përsëri ai nuk e bëri. Ai është në konflikt interesi. Së dyti ai ka kërkuar indirekt të japë emra për prokuror. Nëse ai bën këtë ka dalë nga detyra e tij.

Kjo është e papranueshme’ tha Sali Berisha në abcnews. Berisha duke komentuar dokumentin e EURALIUS dhe OPDAT për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri tha se asnjë nuk ka kërkuar ekspertizë ndërkombëtare për të interpretuar ligjet e parlamentit, ndërsa Llalla po qëndron për shkak të vazhdimësisë deri në emërimin e pasuesit. “Llalla është i ikur. Nuk ka dyshime as për këtë. Ai rri aty për shkak të vazhdimësisë. Edhe të thuash që bëjeni me konsensus dhe nxjerr jashtë çdo lloj kriteri ekspertizën pa ta kërkuar njeri”. Tashmë duket se përpos LSI edhe PD u është rikthyer sulmeve në drejtim të ndërkombëtarëve.