
Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro tha se kapitujt 25 dhe 26 të negociatave të anëtarësimit në BE, të cilët lidhen me arsimin, janë drejt përmbylljes.
“Dua ta nis nga ky i dyti, pra kapitulli 26 – ku pothuajse kemi përmbushur të gjitha piketat. Konkretisht, është krijuar tashmë me vendim të Këshillit të Ministrave, Inspektorati Qendror i Arsimit Parauniversitar. Kemi Planin e Veprimit për Arsimin Dixhital 2025-2030. Është lançuar Baza Shtetërore e të Dhënave të Arsimit të Lartë (SMIAL), e cila është një bazë të dhënash që përdoret prej korrikut të vitit 2025, që gjurmon aktivitetin studimor online nga notat te klasifikimet. Kemi planin e veprimit për arsimin e lartë dhe planin e integritetit dhe gjithashtu, kemi miratuar në qeveri ligjin për ngritjen e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, dhe me miratimin e ligjit edhe në Parlament, plotësojmë 100% piketat përmbyllëse në raport me procesin e integrimit”, tha Kumbaro.
Sipas ministres, krijimi i Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore përbën edhe piketën përmbyllëse të kapitullit 26, të dedikuar arsimit. Me miratimin e këtij ligji, ky kapitull konsiderohet i përfunduar. Në këtë drejtim, Universiteti i Kembrixhit do të ofrojë ekspertizë në 6 fusha.
Ministrja tha se kapitulli 25 ndodhet në fazën e avancimit të plotë.
“Janë miratuar aktet nënligjore të Ligjit për Kërkimin Shkencor. Po rrisim gradualisht buxhetin dedikuar kërkimit shkencor. Paketa e akteve nënligjore është mbyllur, i cili ka kaluar në 0,3% të PBD dhe na kërkohet që në vitin 2030 të shkojë në 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Është miratuar plani i veprimit për tabelën evropiane të inovacionit. Kemi ndër të tjera dhe platformën ACRIS, regjistrin e kualifikimeve shkencore”, tha Kumbaro.
Puna për përmbushjen e kapitujve 25-26 vazhdon sipas kalendarit, si pjesë e grupkapitullit 3 të negociatave me BE.
Testimi ndërkombëtar PIRLS 2026, i cili u zhvillua në 180 shkolla në mbarë vendin dhe morën pjesë 4480 nxënës, ka përfunduar. Ky testim, i realizuar për herë të parë në mënyrë dixhitale, vlerëson aftësitë e leximit te nxënësit.
“Për herë të parë u zhvillua në mënyrë dixhitale, nxënësit e kanë zhvilluar në kompjuter, kanë lexuar tekste të gjata mbi 800 fjalë dhe janë përgjigjur po nga tastiera, brenda një kohe të limituar”, tha Kumbaro.
Ministrja njoftoi se projekti i kampusit të Liceut Francez të Korçës është tashmë gati, është miratuar në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe parashikon ndërtimin e kampusit brenda territorit të godinës historike të Liceut Francez.






