I rikthyer në Kuvend pas disa muajsh mungesë, ish-kryeministri Sali Berisha foli nga vendi i tij në sallë, duke hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Lulzim Basha.

Berisha kërkoi që parlamenti të ndalet te hetimi i dy krerëve të meduzës, sipas tij, te Rama dhe Basha.

Sipas Berishës, të dy politikanët duhet të hetohen për larje parash, teksa theksoi se “Nëse ne duhet të bëhemi seriozë në luftën këtij krimi të shëmtuar që ushqen të gjitha krimet e tjera, përfshirë dhe terrorizmin, duhet t’i vendosim në hetim të plotë si kreun e meduzës, ashtu dhe pengun e tij, Lul Brava, të cilit ja mbylli çështjen në Apel dhe nuk e dërgoi në Gjykatë të Lartë me urdhër të veçantë”.

Teksa Berisha vijonte të fliste me tone të ashpra, kryeparlamentar Lindita Nikolla i ka hequr zërin te mikrofoni, por kjo nuk e ndaloi ish-kryeministri, i cili vijoi akuzat edhe pa mikrofon.

“Mendoj se në trajtimin e këtij problemi sot Parlamenti duhet të ndalet në dy krerët e meduzës, të larjes së parave, kreun e meduzës, Edvin Kristaq Rama, i akuzuar zyrtarisht për bashkëpunimin dhe sigurinë e Evropës, për larjen e 200 milionë eurove në zonat ofshorë, të cilën s’e përgënjeshtroi kurrë, por jo më pak Lul Brava, i cili u hetua nga Prokuroria e Tiranës për larje parash dhe ju mbyll hetimi.

Nëse ne duhet të bëhemi seriozë në luftën këtij krimi të shëmtuar që ushqen të gjitha krimet e tjera, përfshirë dhe terrorizmin, duhet t’i vendosim në hetim të plotë si kreun e meduzës, ashtu dhe pengun e tij, Lul Brava, të cilit ja mbylli çështjen në Apel dhe nuk e dërgoi në Gjykatë të Lartë me urdhër të veçantë.

Larja e parave të pista është mekanizmi kryesor i investimeve të parave të vjedhura nga qeveritarë me bashkëpunëtorët e tyre. Në mënyrë absolute, shtëpitë e atyre u shkatërruan në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, por kleptokracia në pushtet nuk ka ligje, nuk ka moral, nuk shpirt, nuk ka zemër, ka vetëm para dhe vjedhje parash.

Gjykoj që këto ligje të ridimensionohen. Duhet një komision hetimor i domosdoshëm për të hetuar kreun e meduzës dhe Lul Bravën për këtë vepër penale. Ka dhe të tjerë që po hetojnë, por më e mira është ta bëjë Parlamenti këtë”, tha Berisha.