
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, po zhvillon këtë të shtunë një takim me qytetarë të Peqinit, për të prezantuar kandidiatët për deputëtë të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” për Qarkun Elbasan, si dhe programin elektoral të kësaj force politike.
Në fillim të fjalës së tij, krydemokrati tha se nën qeverisjen e kryeministrit Edi Rama, Peqini është varfëruar, duke detyruar kështu që shumë të rinj të ikin në emigrim.
“Në këtë mënyrë, në mënyrë të heshtur dhe haptas, prindërit u thonë fëmijëve të tyre, ndiq fatin, ndiq rrugët e botës se këtu nuk mjafton. E vërteta është se ky Peqin, kjo Shqipëri është bërë e pajetueshme. Është bërë e pajetueshme sepse pensionistët, që kanë shkrirë jetën e tyre, sot trajtohen në mënyrën më të pashpirt, sot trajtohen me një pension mesatar 172 euro, i cili para 12 vitesh ishte 143 euro. Me një pension që sot krahasuar me 13 vite më parë, blen 2 herë e gjysmë më pak. Me një pension që për të blerë sa blihej në vitin 2013, duhej të ishte 390 mijë lekë. Nuk arrijnë të jetojnë këtu se bizneset ndrydhen dhe gjobiten nga të katër anët.
Kurse fermerët kanë tokat nga më të mrekullueshmet, por problemi është se kanë mbështetje mizerabël dhe nuk konkurrojnë dot me fermerët e Maqedonisë, Kosovës apo Serbisë, sepse ata marrin mbështetje pesë herë më shumë se fermerët e Peqinit. Të gjitha këto bëjnë që fermeri ynë të mos konkurrojë dot me fermerin maqedonas apo serb. Prodhimet tuaja të mbeten në ara, të hidhen në lumë ose toka të mbetet djerrë. 80 përqind e të gjitha frutave dhe zarzavateve që shiten në dyqanet tona janë importi, ndërkohë që Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm sa asnjë vend tjetër”,- tha Berisha.
Berisha përsëriti akuzat drejt kryeministrit Rama për përçmim të pensionistëve dhe shtoi se rrogat e zyrtarëve shqiptarë në vendin tonë janë deri në 15 herë më të larta se rroga minimale.