Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas deklaratave të kryedemokratit Lulzim Basha pas mbledhjes së Kryesisë. Me një postim në Facebook, Berisha shkruan se Kuvendi riafirmoi vlerat euro atlantike të PD duke rikthyer në piedestal votën e lirë në të parin kuvend në historinë e Shqipërisë të thirrur nga anëtarësia. Berisha shkruan se Kuvendi  e konsideron nul dhe qesharake çdo dëshirë të deputetit Basha për të thirrur Këshillin Kombëtar, për të shkarkuar drejtuesin e këtij Keshilli apo për të marrë masa displinore ndaj përfaqësuesve të mijëra demokratëve që me votë të lirë dhe legjitime vendosën shkarkimin e tij. Ja se çfarë shkruan Berisha në postimin e tij të plotë:

“Koha kur deputeti Basha mund të bënte pazar me fatet e Partisë Demokratike ka marrë fund. Ditët kur Partia shërbente si hipotekë për borxhet e kryetarit kanë përfunduar! Në një ditë historike, 4446 delegatë të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike vendosën, të rimarrin në dorë fatet e Partisë Demokratike duke shkarkuar Lulzim Bashën në një spektakël të vërtetë demokracie të ngjashëm me standardet amerikane. Kuvendi riafirmon vlerat euro atlantike të PD duke rikthyer në piedestal votën e lirë në të parin kuvend në historinë e Shqipërisë të thirrur nga anëtarësia. Komisioni i Rithemelimit i mandatuar nga kuvendi konsideron nul dhe qesharake çdo dëshirë të deputetit Basha për të thirrur Këshillin Kombëtar, për të shkarkuar drejtuesin e këtij Këshilli apo për të marrë masa disiplinore ndaj përfaqësuesve të mijëra demokratëve që me votë të lirë dhe legjitime vendosën shkarkimin e tij! Komisioni u bën thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillit Kombëtar si dhe ish anëtarëve të kryesisë të respektojnë vullnetin e Kuvendit Kombëtar si organi më i lartë drejtues i Partisë Demokratike. Komisioni fton të gjithë drejtuesit e PD të lexojnë dhe respektojnë vullnetin e shumicës që shkarkoi kryetarin dhe jo të deputetit Basha që kërkon të shkarkojë shumicën! Sot është dita për t’u bashkuar dhe jo për të përçarë e ‘përjashtuar’ partinë për karriken e thyer të ish kryetarit!”, shkruan Berisha në postimin e tij të plotë.