
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat, njoftoi se një video tronditëse që dëshmon manipulimet në zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri u shfaq sot në grupin parlamentar të Partisë Popullore Europiane në Këshillin e Europës.
Berisha tha se përfaqësuesit e PD-së, gjatë javës së kaluar, zhvilluan një ofensivë të gjerë diplomatike në Bruksel dhe Strasburg për të denoncuar farsën elektorale, duke e krahasuar me zgjedhje në Zimbabve 30 vite më parë. Ai theksoi se argumentet dhe dëshmitë e paraqitura nga deputetët demokratë – përfshirë Oerd Bylykbashin, Gazment Bardhin, Jorida Tabakun, Ina Zhupën dhe Albana Vokshin – treguan qartë se qeveria Rama është, sipas tij, “armike e lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve”.
Sipas Berishës, raporti i hartuar nga delegacioni vëzhgues i Këshillit të Europës, i drejtuar nga eurodeputeti Simone Billi, u diskutua sot në grupet parlamentare dhe pritet të miratohet në seancën plenare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Ai nënvizoi se prania e delegacioneve më të mëdha vëzhguese në Shqipëri tregon shqetësimin europian për standardet demokratike në vend, ndërsa premtoi se komentet për raportin do t’i japë pas miratimit zyrtar në asamble.