Ministria e Arsimit të Shqipërisë ka arritur një marrëveshje me atë të Serbisë për t’iu lejuar shqiptarëve aty që të përdorin libra shkollorë nga Shqipëria.

Shahini thotë se pas shumë vitesh përpjekje tashmë kjo është realizuar dhe shqiptarët në Serbi do të mësojnë shqip, me libra shkollorë nga Shqipëria të financuar nga Ministria e Arsimit.

Në fakt do të jetë Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi i cili do të merret me librat shkollorë pasi fondi do i përcaktohet nga Ministria e Arsimit në Shqipëri.

STATUSI NGA BESA SHAHINI

Pas shumë vite përpjekjesh, shqiptarëve në Serbi u lejohet përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria. Nuk ishte e lehtë, por ia dolëm duke bashkërenduar dhe intensifikuar përpjekjet mes Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi.

Kemi filluar gjithashtu edhe financimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi nga fondi i MASR për tekste shkollore, sepse besojmë fuqishëm që femijët shqiptarë në Serbi meritojnë arsim cilësor në gjuhën shqipe dhe libri shkollor është një hap i domosdoshëm në atë drejtim.

Komuniteti shqiptar atje e ka të gjithë mbështetjen e qeverisë shqiptare në çdo aspekt të zhvillimit të tij. Përgëzoj edhe Ministrin Gent Cakaj për angazhimin e tij që kontribuoi për një përfaqësim më të mirë të shqiptarëve në Parlamentin e Republikës së Serbisë.