Besëlidhja ka marrë një barazim me shumë peshë në transfertën e vështirë të Librazhdit ndaj Sopotit, duke ruajtur kryesimin e renditjes. Ky duel konsiderohej përcaktues në garën për titull dhe afrimin me Kategorinë e Parë. Pjesa e parë u mbyll pa gola, pavarësisht rasteve të krijuara nga të dyja skuadrat. Në fraksionin e dytë, Besëlidhja kaloi në avantazh në minutën e 78-të me anë të sulmuesit Akansase. Kur dukej se lezhjanët do të merrnin tre pikët, Sopoti reagoi dhe barazoi shifrat pesë minuta para fundit të takimit. Ndeshja u mbyll përfundimisht 1-1. Pas sfidës, trajneri i Besëlidhjes, Elvis Plori, u shpreh se skuadra e tij la dy pikë në Librazhd, por theksoi se ishte i kënaqur me paraqitjen dhe përkushtimin e futbollistëve në fushë.

Nga ana tjetër, trajneri i Sopotit, Rrahman Hallaçi, nënvizoi vështirësitë e terrenit të rënduar, i cili ndikoi në lojën e të dyja ekipeve. Megjithatë, ai vlerësoi karakterin, luftën sportive dhe besimin që skuadra e tij tregoi deri në fund.

Pas javës së 12-të, Besëlidhja kryeson e vetme renditjen me 30 pikë, e ndjekur nga Sopoti në vendin e dytë me 27 pikë dhe Shiroka në vendin e tretë me 26 pikë.

Artikulli paraprak“SELAMI DANI, ARTIST I GOLAVE ME KOKË”
Artikulli tjetërVRANËSIRA E ALTERNIME KTHJELLIMESH GJATË DITËS