
Besëlidhja ka marrë fitoren e parë të sezonit, duke mposhtur me rezultatin 2-1 Besën kryesuese. Pas largimit të Elvis Plorit dhe ndryshimeve në stafin teknik, lezhjanët kanë reaguar menjëherë në fushën e lojës, duke siguruar një sukses me peshë ndaj një prej skuadrave pretendente. Besëlidhja e nisi ndeshjen me ritëm të lartë dhe në pjesën e parë arriti të shënonte dy herë. Fillimisht ishte Ogungbire që zhbllokoi rezultatin, ndërsa më pas Bilali dyfishoi avantazhin, duke i dhënë skuadrës lezhjane një epërsi të rëndësishme përpara pushimit.
Në pjesën e dytë, Besa u përpoq të rikthehej në lojë dhe gjeti golin me Prengajn, duke e bërë fundin e takimit më të tensionuar. Kavajasit kërkuan deri në minutat e fundit golin e barazimit, por Besëlidhja rezistoi dhe ruajti avantazhin deri në vërshëllimën përfundimtare.
Pas ndeshjes, trajneri i Besëlidhjes, Klevis Hima u shpreh i kënaqur me këtë fitore, pasi tha se janë tre pikë shumë të rëndësishme për ekipin e tij.
Me këtë sukses, Besëlidhja merr një fitore me peshë përballë Besës së Kavajës në një moment të rëndësishëm të kampionatit.
https://youtu.be/iMCeFujHPnI


