Besëlidhja po hyn në ditët e fundit të përgatitjeve për sezonin e ri të Kategorisë së Parë, me skuadrën lezhjane që po zhvillon fazën përgatitore në Pogradec. Lezhjanët kanë zgjedhur qytetin juglindor për të zhvilluar një fazë intensive rreth 10-ditore, duke shfrytëzuar kushtet më të përshtatshme për stërvitje në këtë periudhë me temperatura të larta. Paralelisht me punën në fushën e lojës, drejtuesit e klubit kanë vijuar edhe lëvizjet në merkato dhe tashmë kanë siguruar një tjetër përforcim të rëndësishëm. Besëlidhja ka firmosur me sulmuesin Festim Alidema, i cili bëhet pjesë e skuadrës së trajnerit Elvis Plori. 28-vjeçari është një futbollist me eksperiencë në futbollin shqiptar dhe kosovar. Alidema ka luajtur më parë me Erzenin dhe Pogradecin në Shqipëri, ndërsa në Kosovë ka veshur fanellat e Llapit, Dritës, Lirisë së Prizrenit dhe Ballkanit. Ai ka pasur gjithashtu eksperiencë në Kroaci me Slaven Belupon dhe Hrvatski Dragovoljac.

Afrimi i tij i jep trajnerit Plori një tjetër alternativë në repartin ofensiv dhe pritet të rrisë konkurrencën për vendet e formacionit. Besëlidhja kërkon të ndërtojë një skuadër sa më konkurruese për rikthimin në Kategorinë e Parë, pas sezonit të suksesshëm që i siguroi titullin në Kategorinë e Dytë dhe ngjitjen në një nivel më të lartë. Sezoni i ri i Kategorisë së Parë nis më 5 shtator 2026, ndërsa Besëlidhja do ta nisë kampionatin në transfertë ndaj Kukësit. Në Lezhë synimi është i qartë: të mos mjaftohen vetëm me rikthimin në Kategorinë e Parë, por të ndërtojnë një skuadër që të jetë protagoniste dhe të synojë objektiva të mëdha. Për këtë arsye, ditët e fundit të fazës përgatitore në Pogradec do të shërbejnë për konsolidimin e grupit dhe përgatitjen e skuadrës për premierën e 5 shtatorit.

https://youtu.be/cAE0Z9S_Otw

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakARRESTOHET “PIROMANI” NË MIRDITË
Artikulli tjetërPOLICIA SHTON SHËRBIMET PËR TRAFIKUN NË LEZHË