
Besëlidhja e Lezhës ka marrë një tjetër fitore të rëndësishme në kampionatin e Kategorisë së Dytë të Grupit A. Lezhjanët triumfuan në transfertën e vështirë të Koplikut ndaj skuadrës vendase të Veleçikut, me rezultatin e pastër 0-3. Kështu, ata konfirmojnë ecurinë pozitive brenda dhe jashtë fushe, duke kryesuar renditjen me 16-pikë, pas pesë fitoreve, një barazimi dhe asnjë humbjeje. Bilanci i golave flet qartë për dominimin e lezhjanëve, me 11-gola të shënuar dhe vetëm dy të pësuar. Ndeshja në Koplik, e vlefshme për javën e gjashtë, u zhvillua në kushte të vështira atmosferike, por pavarësisht nga kjo, futbollistët e trajnerit Elvis Plori, falë kualiteteve dhe eksperiencës që kanë, u treguan të saktë në finalizim, duke shënuar tre herë në portën e Veleçikut me anë të Jasmin Rraboshtës në pjesën e parë dhe dy herë me Arsid Krujën, në pjesën e dytë. Kjo fitore në Koplik e forcon pozicionin e Besëlidhjes si pretendente kryesore për ngjitjen në Kategorinë e Parë, duke rikthyer besimin dhe entuziazmin e tifozërisë së zjarrtë lezhjane.






