
Ekipi lezhjan i Besëlidhjes në futboll zhvilloi një tjeter ndeshje miqësore në Tiranë, përball skuadrës së Partizanit B e cila u mbyll në barazim 2-2, takim i cili shërbeu si test i rëndësishëm për të dy ekipet. Besëlidhja e nisi mirë ndeshjen dhe arriti të shënojë dy herë brenda pjesës së parë. Fillimisht ishte Karakaci që në minutën e 30-të kaloi ekipin në avantazh, ndërsa vetëm tetë minuta më vonë Rraboshta dyfishoi rezultatin, duke konfirmuar momentin pozitiv të ekipit në fazën sulmuese.Në pjesën e dytë, ritmi i lojës mbeti i lartë, me të dy skuadrat që kryen disa zëvendësime. Stafi teknik me në krye trajnerin Elvis Plori shfrytëzoi këtë miqësore për të aktivizuar të gjithë lojtarët e grumbulluar, duke u dhënë minutazh dhe mundësi për të treguar gjendjen e tyre fizike dhe formën aktuale. Kjo ndeshje u konsiderua si një provë e vlefshme në kuadër të ndalesës zyrtare të muajit janar, ku fokusi kryesor mbetet vlerësimi i alternativave dhe përgatitja për vazhdimësinë e sezonit.Faza e dytë e kampionatit nis të shtunen e 31-janarit, ku ndeshjen e para Besëlidhja do të ketë në Lezhë përballë ekipit të Basanias.






