
Është mbyllur me festë ndeshja ndërmjet Besëlidhjes dhe Shirokës, pasi lezhjanët kanë siguruar zyrtarisht ngjitjen në Kategorinë e Parë, pas një sezoni të suksesshëm me vetëm 3 barazime dhe asnjë humbje. Skuadra lezhjane triumfoi me rezultatin e pastër 3–0 përballë Shirokës, në një ndeshje ku dominimi ishte i qartë nga fillimi deri në fund. Golat u shënuan nga Hila, Akansase dhe Fusha, duke vulosur një fitore që konfirmon rikthimin e shumëpritur të klubit në një nivel më të lartë të futbollit shqiptar.
Ky sukses vjen pas marrjes së drejtimit të klubit nga biznesmeni Pjerin Fushaj në fillim të sezonit, ku falë mbështetjes financiare, investimeve të kryera si dhe përkrahjes së vazhdueshme nga Bashkia Lezhë, futbollit lezhjan po i rikthehet lavdia e dikurshme.
Trajneri i Besëlidhjes, Elvis Plori, dhe futbollistët Abaz Karakaçi dhe Ardit Hila shprehen se falë angazhimit maksimal dhe mbështetjes së presidencës u arrit ky sukses.
Edhe pse kampionati nuk ka përfunduar plotësisht, pasi mbetet edhe një ndeshje për t’u luajtur ndaj Naftëtarit, fitorja e së shtunës ka vulosur matematikisht objektivin e sezonit. Ndërkohë, pritet të përcaktohet edhe kundërshtari i lezhjanëve në finalen e Kategorisë së Dytë nga Grupi B. Rikthimi i Besëlidhjes në Kategorinë e Parë shihet si një moment pozitiv për futbollin lezhjan dhe një shtysë e re për ambiciet e klubit në sezonin e ardhshëm.






